Shqipëria në planin rajonal për rikthimin e pyjeve, në fokus Alpet dhe pellgu i Drinit
Shqipëria përfshihet në planin rajonal për restaurimin e pyjeve, me investime deri në 2.14 miliardë euro deri në vitin 2050.
Shqipëria është përfshirë në një plan rajonal për restaurimin e pyjeve dhe ekosistemeve të lidhura me to, me synimin për të reduktuar rreziqet nga zjarret, përmbytjet dhe erozioni. Dokumenti identifikon Alpet Shqiptare dhe pellgun e Drinit si dy hapësira të rëndësishme ku bashkëpunimi ndërkufitar mund të kontribuojë në mbrojtjen e natyrës, përmirësimin e biodiversitetit dhe parandalimin e dëmeve mjedisore.
Sipas “Planit për Restaurimin e Peizazheve Pyjore të Gjashtë Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian, ndërhyrjet në më shumë se 50 zona prioritare ndërkufitare, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 725 mijë hektarësh, vlerësohet të kërkojnë investime nga 1.48 deri në 2.14 miliardë euro deri në vitin 2050. Plani përfshin Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ndërsa aktivitetet e restaurimit parashikohet të nisin në vitin 2028, në përputhje me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Pellgu i Drinit, model për mbrojtjen nga përmbytjet dhe restaurimin e pyjeve
Dokumenti e trajton restaurimin e pyjeve si pjesë të një procesi më të gjerë që përfshin lumenjtë, tokat bujqësore, kullotat, ligatinat dhe vendbanimet. Sipas planit, gjendja e këtyre ekosistemeve është e ndërlidhur, pasi degradimi i njërit prej tyre mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e të tjerëve.
Restaurimi i pyjeve në shpatet e degraduara mund të ngadalësojë rrjedhjen e ujit pas reshjeve të dendura dhe të kufizojë erozionin. Rikthimi i bimësisë përgjatë lumenjve ndihmon në stabilizimin e brigjeve, ndërsa ligatinat dhe zonat që përmbyten natyrshëm mund të mbajnë një pjesë të ujit gjatë reshjeve të forta, duke reduktuar rrezikun e përmbytjeve.
Për Shqipërinë, një nga shembujt kryesorë të përmendur në raport është pellgu i Drinit, i përbashkët me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Dokumenti e paraqet nismën për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet në këtë pellg si një model bashkëpunimi ndërkufitar që mund të shërbejë edhe për restaurimin e pyjeve dhe ekosistemeve përreth.
Në vitin 2025, kjo nismë prodhoi strategjinë dhe planin e parë rajonal të veprimit për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, të mbështetur në zgjidhje që shfrytëzojnë funksionet mbrojtëse të natyrës. Ndër masat e propozuara përfshihen pyllëzimi përgjatë lumenjve dhe restaurimi i zonave ujëmbledhëse.
Plani kërkon që ndërhyrjet në pjesët e sipërme të pellgjeve ujore të koordinohen me masat që ndërmerren në rrjedhën e poshtme. Kjo nënkupton se restaurimi i një sipërfaqeje pyjore në një vend duhet të marrë parasysh ndikimin që mund të ketë në përmbytjet dhe cilësinë e ujit në vendet fqinje.
Alpet Shqiptare, prioritet për mbrojtjen e biodiversitetit
Alpet Shqiptare identifikohen si një tjetër hapësirë me potencial për bashkëpunim ndërkufitar në restaurimin e ekosistemeve. Sipas dokumentit, nismat ekzistuese për mbrojtjen e specieve mund të shërbejnë si pikënisje për ndërhyrje më të gjera në përmirësimin e gjendjes së pyjeve dhe habitateve natyrore.
Objektivi është ruajtja dhe forcimi i lidhjeve ndërmjet habitateve, në mënyrë që speciet bimore dhe shtazore të mos mbeten të izoluara në zona të shkëputura nga njëra-tjetra. Kjo qasje synon të mbështesë funksionimin e ekosistemeve dhe qëndrueshmërinë e tyre ndaj ndryshimeve klimatike.
Një nga problemet kryesore të evidentuara në raport është fragmentimi i përgjegjësive institucionale për administrimin e të njëjtit territor. Kompetencat ndahen ndërmjet institucioneve përgjegjëse për pyjet, mjedisin, bujqësinë, ujërat dhe planifikimin territorial, duke vështirësuar koordinimin e ndërhyrjeve.
Për Shqipërinë, dokumenti i referohet Strategjisë së Pyjeve, e cila identifikon nevojën për krijimin e strukturave ndërinstitucionale që do të mundësonin planifikimin e integruar të territorit. Raporti e konsideron këtë një reformë që mbetet ende për t'u realizuar. Në nivel rajonal, pengesa të tjera janë mungesa e të dhënave të përditësuara dhe të harmonizuara ndërmjet institucioneve, financimi i paqëndrueshëm dhe përfshirja e pamjaftueshme e komuniteteve lokale.
Zjarret dhe erozioni, masa parandaluese nga viti 2028
Plani rajonal i trajton zjarret, thatësirat dhe erozionin si rreziqe të ndërlidhura. Humbja e bimësisë pas një zjarri mund t'i lërë shpatet më të ekspozuara ndaj reshjeve, duke përshpejtuar gërryerjen dhe humbjen e tokës.
Për zonat me rrezik të lartë, dokumenti parashikon hartëzimin e ekspozimit ndaj zjarreve gjatë viteve 2028–2029, ndërsa testimi i masave parandaluese dhe restauruese pritet të zhvillohet gjatë periudhës 2029–2035.
Ndërhyrjet e propozuara përfshijnë rigjenerimin natyror të asistuar, ripyllëzimin me specie vendase të përshtatshme për kushtet klimatike dhe përmirësimin e strukturës së pyjeve të degraduara. Gjithashtu, parashikohet krijimi i brezave që kufizojnë përhapjen e zjarreve, si dhe hartimi i procedurave për vlerësimin e dëmeve dhe rimëkëmbjen e sipërfaqeve të djegura.
Synohen të paktën 25 milionë euro financime deri në vitin 2030
Raporti vlerëson se një nga pengesat kryesore për realizimin e planit nuk është vetëm sigurimi i burimeve financiare, por edhe aftësia e institucioneve për të përgatitur projekte cilësore dhe për të përdorur fondet e disponueshme.
Për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, objektivi fillestar është mobilizimi i të paktën 25 milionë eurove deri në vitin 2030, me kontribute nga të paktën dy kategori burimesh financimi. Kjo shumë përfaqëson vetëm rreth 1% të vlerësimit qendror të kostos së restaurimit dhe konsiderohet një hap fillestar drejt krijimit të një mekanizmi të qëndrueshëm financimi.
Dokumenti propozon kombinimin e fondeve publike kombëtare me instrumentet financiare të Bashkimit Europian, financimet ndërkombëtare për klimën dhe biodiversitetin, si dhe përfshirjen e sektorit privat. Për Shqipërinë, raporti përmend si përvojë të dobishme asistencën teknike të Agjencisë Franceze të Zhvillimit për buxhetimin e gjelbër dhe integrimin e konsideratave klimatike në vendimmarrjen për investimet publike.
Kostoja e përgjithshme e vlerësuar nga 1.48 deri në 2.14 miliardë euro nuk përfshin të gjitha nevojat për restaurimin e pyjeve në gjashtë vendet. Kjo shumë mbulon vetëm zonat prioritare ndërkufitare, investimet fillestare dhe mirëmbajtjen në fazat e hershme, ndërsa financimi i përhershëm për mirëmbajtjen afatgjatë duhet të sigurohet veçmas.
Objektivi deri në vitin 2050, restaurimi i të gjitha zonave prioritare
Sipas planit, deri në vitin 2032 synohet që të paktën një zonë prioritare ndërkufitare të regjistrojë përmirësime të matshme në gjendjen e ekosistemeve pyjore dhe lidhjen ndërmjet tyre. Ndërkohë, objektivi për përmirësimin e të gjitha zonave prioritare shtrihet deri në vitin 2050.
Për Shqipërinë, zbatimi i planit do të kërkojë bashkëpunim me vendet fqinje, koordinim më të mirë ndërinstitucional dhe sigurimin e financimeve për ndërhyrjet në Alpet Shqiptare, pellgun e Drinit dhe zonat e tjera me rëndësi mjedisore. Masat e propozuara synojnë jo vetëm rikthimin e sipërfaqeve pyjore të degraduara, por edhe uljen e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së ekosistemeve ndaj ndryshimeve klimatike.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)